Secondary Adv

Raporti i OSBE-ODIHR: Zgjedhjet e 11 majit konkurruese, por mjedisi i polarizuar

Raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri evidenton raste presioni ndaj votuesve, përdorimin e administratës publike për fushatë dhe mungesë barazie për disa kandidatë.

Probleme gjatë numërimit dhe përdorim politik i administratës

Raporti vëren se procesi i numërimit, i ndjekur nga vëzhgues ndërkombëtarë në shumicën e qendrave, u shoqërua me tensione, ndërhyrje të vëzhguesve partiakë dhe vonesa në shpërndarjen e protokolleve. Në disa raste, ekipet e numërimit u trajnuan në mënyrë të papërshtatshme, duke sjellë kaos dhe ngadalësim të procesit.

 

ODIHR thekson se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të theksuar polarizimi politik dhe se disa kandidatë nuk patën mundësi të barabarta gjatë fushatës, ndërsa u vunë re raste të përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale.

 

Thirrje për Reformë Zgjedhore gjithëpërfshirëse

Raporti nënvizon domosdoshmërinë e një reforme zgjedhore të gjerë dhe transparente, të bazuar në konsultime me të gjitha palët dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Një ndër rekomandimet kryesore është depolitizimi i administratës zgjedhore dhe përmirësimi i trajnimeve për numëruesit.

 

OSBE-ODIHR kërkon gjithashtu ndalimin e përdorimit të burimeve publike për fushatë, si dhe vendosjen e rregullave të qarta për raportimin dhe etiketimin e përmbajtjeve politike në media.

 

Rinumërime dhe certifikimi përfundimtar

Procesi i numërimit u përmbyll më 21 maj, ndërsa pas ankesave të partive u kryen rinumërime të pjesshme në disa qarqe, përfshirë Tiranën, Durrësin, Dibrën dhe Fierin. KQZ certifikoi përfundimisht rezultatet më 28 gusht 2025, me 3 vota pro dhe 2 kundër, duke konfirmuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

 

Burimi: Euronews


Më të lexuarat